Qeveria ka 120 mln euro fonde të lira te llogaria e BSH: Sa do të përdoren për pensionet
Qeveria ka rreth 12 miliardë lekë të pashpenzuara në llogarinë unike, ndërsa po planifikon rritjen e mbështetjes për pensionistët.
Qeveria disponon rreth 12 miliardë lekë, ose afërsisht 120 milionë euro, fonde të pashpenzuara në llogarinë unike pranë Bankës së Shqipërisë. Në fillim të vitit, fondi i akumuluar në këtë llogari arriti në 16 miliardë lekë, nga të cilat deri tani rreth 4 miliardë lekë janë përdorur për politikat e pensioneve.
Ligji i Buxhetit përcakton se fondet e mbetura mund të ruhen për financimin e buxheteve të viteve të ardhshme. Ndërkohë, qeveria po planifikon politika të reja për rritjen e mbështetjes financiare për pensionistët. Nga 1 janari 2027 pritet të dyfishohet masa e bonusit mujor për pensionistët, ndërsa krahas tij pritet të vijojë edhe politika e indeksimit të pensioneve deri në 3%, sipas deklarimeve të bëra më herët nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Ende e paqartë nëse 12 miliardë lekët do të përdoren për pensionet
Burime nga Ministria e Financave sqarojnë se fondet e llogarisë unike të Bankës së Shqipërisë krijohen, sipas ligjit të buxhetit, edhe nga suficiti i shpenzimeve kapitale të parealizuara. Deri tani, Ministria e Financave ka përdorur një pjesë të këtyre fondeve për politikat e pensioneve.
Megjithatë, 12 miliardë lekët e mbetura nuk konsiderohen automatikisht fonde të disponueshme për rritjen e pensioneve. Ende nuk është përcaktuar nëse ato do të përdoren për politikat e pensioneve, do të mbahen në llogarinë unike për financimin e buxheteve të viteve të ardhshme apo do të rialokohen për politika të tjera gjatë vitit 2026. Një tjetër mundësi është që financimi i politikave të reja për pensionet të realizohet nëpërmjet ndryshimeve të buxhetit.
Nga 1 janari 2027 pritet të dyfishohet bonusi mujor
Përveç politikës së indeksimit, qeveria prej vitesh ka aplikuar mbështetje shtesë për pensionistët. Nga viti 2026 nisi për herë të parë dhënia e bonusit mujor. Këshilli i
Ministrave miratoi vendimin që përcakton bonuse mujore për pensionistët, duke filluar nga 1 janari 2026. Bonuset janë shtesa mbi pensionin aktual dhe paguhen çdo muaj.
Për pensionet e plota të pleqërisë në qytet deri në 40 mijë lekë, bonusi aktual është 1,600 lekë në muaj dhe nga 1 janari 2027 pritet të arrijë në 3,600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme deri në 22 mijë lekë përfitojnë aktualisht 800 lekë në muaj dhe nga 1 janari pritet të marrin 1,600 lekë. Për pensionet rurale deri në 18 mijë lekë, bonusi pritet të rritet nga 1,000 në 2,000 lekë në muaj. Pensionet familjare do të përfitojnë 1,400 lekë, ndërsa pensionet e invaliditetit 1,200 lekë.
Indeksimi përfshiu 900 mijë pensionistë
Në vitin 2026, qeveria indeksoi pensionet me 2.7%. Vendimi erdhi pas ndryshimeve të buxhetit me Aktin Normativ të miratuar në qershor 2026. Indeksimi nisi më 1 korrik 2026, me një fond shtesë prej 872 milionë lekësh, dhe nga kjo masë përfituan 900 mijë pensionistë.
Në shtatë vitet e fundit, norma e indeksimit të pensioneve ka variuar nga 2.3% deri në 9.3%. Në vitin 2022, për shkak të krizës së rritjes së çmimeve pas nisjes së luftës në Ukrainë, u miratuan dy politika indeksimi, që e çuan masën e indeksimit në 9.3%. Në vitin 2023 u miratua indeksimi i pensioneve në masën 8.6%.
Çfarë parashikon Ligji i Buxhetit për fondet e llogarisë unike
Neni 20 i Ligjit të Buxhetit parashikon se Këshilli i Ministrave mund të akumulojë dhe të mbajë në llogarinë unike pranë Bankës së Shqipërisë gjendje shtesë likuiditeti, të cilat mund të mbarten për financimin e buxheteve të viteve pasardhëse.
Sipas këtij neni, në rast të disbursimit të kredive shtesë në formën e “mbështetjes buxhetore” nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe në rast të përdorimit të fondeve të përfituara nga alokimi i të drejtave të tërheqjes speciale prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, kufijtë për huamarrjen totale neto, rritjen vjetore të borxhit të qeverisjes qendrore dhe nivelin e vlerësuar të stokut total të borxhit publik mund të tejkalohen deri në shumën e këtyre fondeve. Niveli i deficitit të buxhetit të vitit 2026 mbetet i pandryshuar.
Ligji përcakton gjithashtu se, në mbyllje të vitit buxhetor, gjendja e akumuluar në llogarinë unike nuk duhet të kalojë vlerën mesatare të dy muajve kumulativë të shpenzimeve buxhetore të planifikuara për atë vit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)